REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KËSHILLI I QARKUT ELBASAN
RREGULLORE E BRENDSHME
PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E ADMINISTRATËS SË KËSHILLIT TË QARKUT ELBASAN
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i Rregullores
Kjo rregullore paraqet në mënyrë të detajuar rregullat për organizimin dhe funksionimin e administratës së Këshillit të Qarkut Elbasan, duke përcaktuar rregullat për etikën dhe sjelljen, kompetencat, të drejtat dhe detyrat peëkatëse të çdo strukture të administratës në këtë institucion, në kuadër të përmbushjes së misionit dhe qëllimit të krijimit e funksionimit të Këshillit të Qarkut Elbasan, si njësi e qeverisjes vendore e nivelit të dytë.
Neni 2
Baza ligjore për veprimtarinë e administratës së Këshillit të Qarkut
Administrata e Këshillit të Qarkut, në kryerjen e funksioneve administrative, udhëhiqet nga zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Ligjit Nr.139, dt. 17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, Ligjit Nr.8484, dt. 12.05.1999 “Kodi i procedurave administrative të Republikës së Shqipërisë”, Ligjit Nr.152/2013 “Për nëpunësin civil” i ndryshuar, Kodi i Punës ,Ligjit Nr.9131, datë 08.09.2003 ”Për rregullat e etikës në administratën publike”, si dhe akteve të tjera ligjore dhe nënligjore që sanksionojnë të drejta, detyrime dhe përgjegjësi për institucionin e Këshillit të Qarkut.
Neni 3
Qëllimi
Qëllimi i kësaj rregulloreje është disiplinimi i aktivitetit të administratës së Këshillit të Qarkut për realizimin e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave për zbatimin me efektivitet të Ligjit Nr.139, dt.17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore” dhe te kornizës ligjore në përgjithesi që lidhen me detyrat e të drejtat e administratës së Këshillit të Qarkut dhe përcaktimin e raporteve e kompetencave të strukturave të zgjedhura e të emëruara në Këshillin e Qarkut.