KULTURË


Trashëgimia Kulturore dhe Traditat që mbart Qarku i Elbasanit

Nëse do t’i drejtoheni trevave të Elbasanit, do t’ju jepet mundësia të vizitoni vlera kulturore dhe historike të rralla, monumente të figurave të shquara të Elbasanit, vlera me të cilat identifikohet kultura dhe trashëgimia kulturore e Qarkut të Elbasanit.

Kalaja e Elbasanit, objekt i cili bie në sy menjëherë sapo arrin në qendër të qytetit, kështjellë e qytetit të lashtë Skampini, së bashku me muret rrethuese, banesat me arkitekturë karakteristike që përfshihen në tipin e veçantë të banesës qytetare si dhe monumente te tjera. Në qendër të kalasë ndodhen Kisha Ortodokse Shën Maria, e ndërtuar në shek. XVI, Xhamia Mbret e ndërtuar në shek. XVI. Në anën veriore ndodhet Kisha Katolike, e ndërtuar në vitet 30 të shekullit të XX-të. Në pjesën jugore ndodhet kulla e sahatit e lartë rreth 47 m.

Bezistani  i qytetit, shatërvani, rrapi dhe një pjesë e kalldrëmit në qytetin e Elbasanit. Ndodhet në qendër të qytetit, interesante për tu vizituar. Me vlera të larta arkeologjike dhe artistike siç janë mozaikët dhe afresket. Mosha e këtij rrapi monument i qytetit është 500 vjeçare. Qysh herët ky shesh ka shërbyer edhe si vend grumbullimi për banorët për pazar dhe më vonë për takime, kuvende etj. Vizitohet me lehtësi, pasi është në qëndër të qytetit.

Kulla e Sahatit, kulla e orës së Elbasanit në muret e Kalasë së Elbasanit.

Xhamia Mbret, e cila ndodhet në mes të “Lagjes Kala” të qytetit të Elbasanit.

Xhamia e Nazareshtës, e cila tërheq vëmendjen me harmoninë dhe bukurinë e formave dhe ngjyrave të materialeve ndërtimore.

Muzeu Etnografik, me arkitekturë të shekullit të 18-të, dëshmon vlerat historike dhe arkitektonike të banesës qytetare elbasanase. Nuk mund të thuash se ke vizituar Elbasanin nëse nuk ke vizituar më parë Muzeun Etnografik,

Muzeu i Shkollës Normale (Pedagogjike). Godina ku zhvilloi punimet i pari Kongres Kombëtar Arsimor në vitin 1909. Ndër institucionet më të rëndësishme të historisë së arsimit kombëtar shqiptar.

Kisha e Shën Mërisë, e cila ndodhet në zemër të kalasë. Është një monument kulture që nga viti 1984 dhe sot vizitohet nga besimtarët për të kryer ritet fetare të ortodoksisë.

Hamami i pazarit në Qytetin e Elbasanit,  Hamami i vjetër në Lagjen Kala, të cilët i japin larmi dhe dinamikë arkitekturës dhe urbanistikës tradicionale.

Pusi që lahet vetë dhe rrapi pranë tij, në qytetin e Elbasanit. Interesant dhe mund te vizitohet.

Bazilika në Kodrën e Tepes pranë qytetit të Elbasanit. Ndodhet në ullishtën e qytetit, gjë që tregon se bazilika i takon varrezës së Skampinit. Kjo bazilikë  daton në shekullin e IV-të. Është një monument kulture që nga viti 1973. Mozaikët janë ndërtuar me kubikë mermeri të bardhë, gëlqerorë, ngjyrë vjollcë, të zezë dhe tullash të kuqe. Kolonat e Ikonastasit janë prej mermeri gri, të prura nga një vend tjetër. Në pllakat e Ikonastasit me përmasa 102 x 92 cm, janë gdhendur luanë, kaprollë, shpendë të ndryshëm, krahas ornamenteve bimore.

Rruga e lashtë Egnatia. Një rrugë e vjetër ndërtuar në shekullin e 3-të p.e.s, si lidhje midis vendeve perëndimore dhe lindore të Perandorisë Romake. Përshkon Ballkanin nga Durrësi deri në Maqedoni dhe Greqinë e Veriut duke shkuar deri në Stamboll në Turqi. Funksionin e vet origjinal e ka pasur për qëllime ushtarake, por shërbeu edhe për qëllime ekonomike dhe sociale. 

Monumenti i Kostandin Kristoforidhit. Një nga figurat më të ndritura të shkencës shqiptare, i përjetësuar në monumentin e ngritur në vitin 1962 përballë Teatrit “Skampa”.

Monumenti i Aqif Pashe Biçakçiut. Në qendër të qytetit pranë Rrapit të Bezistanit, ngrihet monumenti i Aqif Pashe Biçakçiut, atdhetar, burrë shteti, një nga figurat e shquara të pavarësisë dhe luftës për bashkim të trojeve shqiptare. Në bashkëpunim me Ismail Qemalin ngriti flamurin në Elbasan (25 nëntor 1912) dhe në Vlorë (28 nëntor 1912. Ismail Qemali, themeluesi i shtetit të pavarur shqiptar, shkroi për të: “Se ç’vend do kem unë në histori, këtë nuk e di. Sa për ju, emri juaj i shkëlqyer si patriot do të mbetet në faqet e ndritura të historisë sonë”

Monumenti i Arsimit. Në vitin 1909 Elbasani u bë kryeqytet i arsimit kombëtar me ngritjen këtu të Shkollës Normale, e para dhe më e famshmja shkollë për përgatitjen e mësuesve për gjithë trojet etnike. Atdhetarët shqiptarë zgjodhën këtë qytet jo vetëm për pozicionin gjeografik por mbi të gjitha si mjedis arsim dhe kulturëdashës.

Monumenti i Aleksandër Xhuvanit, i cili ju çon në Universitetin e Elbasanit që mban emrin e tij. I vendosur para hyrjes së korpusit qendror të kujton përpjekjet e këtij personaliteti të shkencës së gjuhësisë dhe arsimit. Ishtë një ndër themeluesit e sistemit modern arsimor shqiptar dhe shumë aktiv në botime shkencore e pedagogjike. Në Shqipëri konsiderohet si një ndër etërit e arsimit.

Monumenti kundër genocidit grek ndaj Çamërisë. Shumë pranë Hotel “Skampa”, ngrihet monumenti që përkujton masakrat e nacionalistëve grekë ndaj minoritetit etnik shqiptar të Çamërisë. Kjo vepër përkujton edhe shpirtin vëllazëror e të ndjeshëm elbasanas që priti në vatrat e veta çamët e drobitur, të masakruar fizikisht e shpirtërisht por të papërkulur në kërkim të zgjidhjes së çeshtjes së tyre humane.

Kisha Shelcan, përgjatë itinerarit Elbasan-Gjinar.

Kisha Valshit, përgjatë itinerarit Elbasan-Gjinar.

Kisha e Shën Gjon Vladimirit, fshati Shijon, Nj.Admin.Bradashesh. Është e vizitueshme dhe ndodhet 5 km nga Elbasani.

Kalaja në vendin e quajtur Shkëmbi i Skënderbeut (Sh. Lliut) në fshatin Petresh, Njësia Administrative Bradashesh. Është kala e bukur 14 km larg Elbasanit dhe duhet të ecësh gjysëm ore në kembë.

Ura antike në fshatin Muriqan, Njësia Administrative Gjergjan. Ruhen  fragmente. Ndodhet larg nga Elbasani 15 Km.

Kisha e Shën Premtes në fshatin Valesh, Gjinar. Është e vizitueshme. Shkohet në këmbë për 1.5 ore.

Kisha e Shën Kollit në Fshatin Shelcan, Shushicë. Është e vizitueshme. Ndodhet 8 km nga qyteti i Elbasanit.

Rrënojat e Kishës së Ungjillizimit në fshatin Mjekës, Njësia Administrative Shirgjan.  

Shtëpitë Elbasanase

Në trashëgiminë kulturore të Elbasanit zë vend të veçantë edhe banesa popullore qytetare e Elbasanit. Kjo banesë përfaqësohet me dy modelet e saj: Ndërtesën karakteristike Elbasanase me dy kate dhe ndërtesën një katëshe që emërtohet “Shtëpia Dollmallije Elbasanase”.

Shtëpia qytetare elbasanase është një godinë dykatëshe me çardak.

Në fund të shekullit XVIII-te Elbasani ka pasur mbi 1100 të tilla, gjë që dëshmon për nivel të lartë zhvillimi ekonomiko-shoqëror. Kjo lloj banese përbëhet nga dy kate, kati përdhes shërben për magazine, kurse i sipërmi shërben për banim. Çardaku është pjesa e hapur e godinës që lidh banesën me mjedisin përreth. Në çardak pjesëtarët e familjes qëndrojnë gjatë periudhës më të gjatë të vitit.

Në çardak bëhen dasmat, shtrohen dreka e darka, jepen gosti, pra shfrytëzohet sipas rastit. Nga çardaku kryhet ndërlidhja me të gjitha pjesët e banimit. Dhoma e zjarrit pajiset me aksesorët e nevojshëm sipas periudhës përkatëse kohore. Aty kishte oxhak, dollapë brenda murit, polisa, musandra etj.

Dhoma e miqve shfrytëzohet për pritje dhe fjetje. Edhe në të ka oxhak dekorative, dollapë muri, mafil, musandra. Të gjitha këto janë trajtuar dhe punuar me kujdes dhe me vlera të larta artistike.

Një banesë tipike elbasanase me çardak është godina e Muzeut Etnografik.

Shtëpia “Dollmallije” e Elbasanit

Janë banesat më të përhapura në Elbasan, me lashtësi mbi tre shekuj që dallojnë jo vetëm midis tyre por dhe nga banesat e trevave të tjera të vendit. Dallohen për planimetrinë, për artin arkitektorial, për anën funksionale si dhe materialin ndërtimor. 

Shtëpia Dollmallije Elbasanase ishte një katëshe. Në përgjithësi kishte një planimetri drejtkëndore me distancë të madhe në aksin L-P. Kishte shkallë gjysmërrethore që lejonin të futesh në pjesën e përparme të godinës që quhej hajat. Përballë hajatit ambjenti ndahej në tri dhoma, ku e mesit quhej “shtëpia e zjarrit”. Zakonisht shtëpia e zjarrit ishte pa tavan, kurse dhomat e pritjes dhe e gjumit kishin tavan të thjeshtë me dërrasë ose në disa raste me tavane me ornamente si rozeta.

Dhoma e miqve kishte prevazat prej druri që ishin me zbukurime me bedena. Kuzhina kishte sergjenin në anën përballë oxhakut. Në sergjen vendoseshin të rreshtuara tavat e bakrit, tenxheret dhe kusitë, tepsitë e bakërta. Pas tri dhomave kishte hapësira që quheshin “qure”.

Në shtëpinë dollmallije elbasanase veç ambjenteve që u përmendën kishte edhe dy ambjente të tjera në të dy anët e hajatit që quheshin “Sofa”. Sofa ishte e përdorshme sidomos në stinën e pranverës, verës dhe fillim vjeshte.

Etno-Folku, pasuri e madhe e trashëgimisë kulturore të Qarkut të Elbasanit.

Në Qarkun e Elbasanit sot numërohen rreth 100 destinacione të trashëgimisë historike-kulturore, 37 lloje të kostumeve popullore, me një shumëllojshmëri folklorike, të prezantuara në “Albumin mbi kostumografinë e trevave të Elbasanit”, produkt i Këshillit të Qarkut Elbasan në bashkëpunim me partnerë dhe që përbën një dëshmi të traditës etnografike nëpërmjet të cilit promovohen vlerat e paçmuara dhe origjinaliteti i kulturës së rajonit tone.

Kostumi i Grave të Godoleshit

 

Aktivitete të përvitëshme që mundësojnë

 promovimin e trashëgimisë kulturore në trevat e Qarkut Elbasan

 

Festivali Ndërkombëtar i Teatrove “Skampa”, në Bashkinë Elbasan. Në muajin tetor çdo vit në Teatrin “Skampa” të këtij qyteti mbahet ky festival, ku japin shfaqje trupa teatrore nga shumë vende të Europës. Ajo është arenë e vlerave artistike, krijuese dhe interpretuese të artit skenik.

Dita e Kulturës Popullore, në njësinë administrative Papër, Bashkia Elbasan. Organizohet tek tregu i zonës Papër në formën e një konkursi midis fshatrave me këngë, valle dhe kostume popullore. Ngrihet një juri dhe shpërndahen çmime për këngën dhe vallen popullore më të bukur, kostumin popullor më të bukur për meshkuj dhe femra, si dhe fshatin me program më të bukur.

Panairi i Trashëgimisë Kulturore, Bashkia Peqin. Organizohet në Kalanë e Peqinit me rastin e ditës kombëtare të trashëgimisë kulturore. Në këtë ditë organizohet një panair me vizatime, modele, mokete të objekteve të lashtësisë, vegla e veshje popullore, kërcime dhe lojra të vjetra popullore, gatime të vjetra të traditës, foto të vjetra të sjella nga shkollat dhe qytetarë të ndryshëm. Në këtë panair ndahen çertifikata dhe dhurata për shkollat dhe individët që paraqiten me një gamë të pasur, cilësore, befasuese dhe origjinale të këtyre objekteve të trashëgimisë kulturore.

Panairi “Traditat e Zonës” në Rrajcë, Qukës dhe Stravaj, Bashkia Prrenjas. Ky panair organizohet me qëllim promovimin dhe nxitjen e trashëgimisë së traditave të zonës, në të cilën gjëndet një mozaik i larmishëm dhe i veçantë në etnografi, valle, këngë, kulinari, zejtari, prodhime bujqësore etj.

Koncerti Poetik, në Bashkinë Prrenjas. Ky aktivitet organizohet çdo vit në fund të muajit tetor, muajit të letërsisë, me pjesëmarrjen e të gjitha shkollave 9-vjeçare që mbulon Bashkia Prrenjas si dhe shkollës së mesme të qytetit. Aktiviteti festiv ka në thelb performancën artistike të të rinjve në art në drejtim të poezisë shqiptare dhe të huaj, poemës, tregimit si dhe krijime të vetë nxënësve, duke shpërndarë çmime nga juria, shoqëruar me stimuj materialë.  

Festa e Dijes, në njësinë administrative Lenie, Bashkia Gramsh. Përvjetori i hapjes së shkollës së parë shqipe të Lenies (Shënpremtes), pas përpjekjeve që bënë patriotët e Lenies për përhapjen e kulturës dhe dijes në krahinë.

Koncert Festiv i përvitshëm nga grupi i këngëve dhe valleve popullore, Bashkia Prrenjas, ku promovohet trashëgimia kulturore folklorike e gjithë krahinës, sidomos krahinës së Rrajcës.

Dita e Fjalës së Mirë në njësinë administrative Polis, Bashkia Librazhd. Organizohet nga shkolla e mesme Polis Gostimë dhe paraqet bashkëpunimin nxënës-prindër-mësues si dhe kulturën tradicionale të zonës së Polisit.

Eja në Gramsh - Fest Folklorik Tingujt e Devollit. Festival Folklorik Kombëtar që zhvillohet në Qytetin e Gramshit me pjesëmarrjen e grupeve folklorike nga rrethe të ndryshme të vendit. 

 

 


AKTIVITETE TË NDRYSHME KULTURORE