Këshilli i Qarkut i ushtron rolin dhe funksionet bazuar në Ligjin 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”.

 

Neni 31
Funksionet e qarkut


1. Funksionet e qarkut janë ndërtimi e zbatimi i politikave rajonale, harmonizimi i tyre me politikat shtetërore, në nivel qarku, si dhe çdo funksion tjetër i dhënë me ligj.

2. Qarku ushtron të gjitha funksionet që i delegohen nga një ose më shumë bashki, brenda territorit të qarkut, sipas një marrëveshjeje të lidhur midis palëve.

3. Qarku kryen dhe ushtron kompetencat e deleguara nga pushteti qendror, sipas
parimeve të parashikuara në nenin 22 të këtij ligji.

Detyrat dhe kompetencat e këshillit të qarkut, bazuar në Ligjin 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”.
Neni 77


a) zgjedh nga përbërja e vet komisionet e këshillit dhe miraton rregulloren e brendshme të funksionimit të vet;

b)zgjedh nga anëtarët e këshillit kryetarin, zëvendëskryetarin dhe anëtarët e kryesisë, duke respektuar ligjin për barazinë gjinore, dhe i shkarkon ata;

c) emëron dhe shkarkon sekretarin e këshillit të qarkut;

ç) miraton strukturën, organikën dhe kategoritë /klasat e pagave për çdo pozicion të shërbimit civil dhe rregulloret bazë të administratës së qarkut, të njësive e të institucioneve buxhetore në varësi të qarkut, si dhe numrin e personelit të tyre, kërkesat për kualifikim, pagat dhe mënyrat e shpërblimit të punonjësve e të personave të tjerë, të zgjedhur ose të emëruar, në përputhje me legjislacionin në fuqi;

d) miraton aktet e themelimit të ndërmarrjeve, shoqërive tregtare dhe të personave të tjerë juridikë që krijon vetë ose me të cilët është bashkë-themelues;

dh) miraton buxhetin dhe ndryshimet e tij;

e) miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve;

ë) organizon dhe mbikëqyr kontrollin e brendshëm;

f) vendos për taksat e tarifat në kompetencë të qarkut, si dhe për nivelin e tyre;

g) vendos për marrjen e kredive dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj të tretëve;

gj) vendos për krijimin e një personi juridik me njësi të tjera të vetëqeverisjes vendore, përfshirë subjektin e kompetencave të përbashkëta, sipas nenit 14 të këtij ligji;

h) emëron dhe shkarkon drejtuesit e ndër-marrjeve dhe të institucioneve në varësi të tij;

i) vendos për fillimin e procedurave gjyqësore për çështje të kompetencës së vet;

j) vendos për vërtetimin dhe heqjen e mandatit të këshilltarit të qarkut, sipas nenit 75 të këtij ligji;

k) miraton norma, standarde e kritere për rregullimin e disiplinimin e funksioneve që i janë dhënë atij
me ligj, si dhe për mbrojtjen e garantimin e interesit publik në nivel qarku;

l) vendos për simbolet e qarkut;

ll) jep tituj nderi dhe stimuj;

m) vendos për rregullat, procedurat dhe mënyrat e realizimit të funksioneve të deleguara, në bazë dhe në zbatim të ligjit me të cilin bëhet ky delegim në qark;

n) miraton ose shfuqizon vendimet e kryesisë së këshillit të qarkut.