Historia e trevave të Elbasanit e ka zanafillën e saj në shekullin e II-të p.k. me vendbanimet e hershme ilire. Në shekullin e II-të qyteti njihet me emrin “SKAMPA” e më vonë me emrin “SKAMPINI” në varësi administrative të Durrahut. Duke qënë i vendosur në kryqëzimin e rrugëve Veri – Jug dhe Lindje – Perëndim, ai ka shërbyer si pikë e rëndësishme kalimi dhe si stacion i rëndësishëm, duke u përmendur si qëndër urbane, ushtarake e peshkopale. Pas bllokimit të rrugës Egnatia nga dyndjet e barbarëve, qyteti nuk përmendet më dhe njeh shkatërrimin e tij gjatë migrimit sllavo – bullgar diku nga shekulli VI – VII.
Elbasani u zhvillua si qendër e rëndësishme strategjike, administrative, ushtarake dhe ekonomike e Shqipërisë së mesme. Zejtaria dhe tregtia mori përsëri një zhvillim të dukshëm duke shtrirë lidhjet dhe ndikimin në tërë zonat përreth. Një zhvillim të ndjeshëm mori arti postbizantin i përfqësuar nga mjeshtri dhe piktori i madh Onufri i Neokastrës (Elbasanit), i cili krijoi një art kulminant ku spikat me forcë të veçantë gërshetimi i shkëlqyer i gjeniut me traditën vendase. Si vepra të tij, të trashëguara deri në ditët tona, janë afresket dhe ikonat e kishave të Shelcanit dhe të Valshit të mesit të shek. XVI. Vazhdues i veprës së Onufrit përmendet Kostandin Shpataraku. Një zhvillim të vrullshëm mori qyteti i Elbasanit në shek. XVII me krijimin, organizimin dhe funksionimin e 60 llojeve të zejeve në 45 Esnafe. Vlen të përmendet në këtë kohë “Kodiku i Esnafeve të Tabakëve”, 15 Maj 1658, i cili konsiderohet ndër më të vjetrit në Ballkan.