AKTIVITETI EKONOMIK NË QARKUN ELBASAN

Bazën e zhvillimit ekonomik të zonës urbane të Qarkut Elbasan e përfaqësojnë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, por edhe ndikimi në një masë të konsiderueshme i sipërmarrjeve të mëdha industriale, sidomos në rrethin e Elbasanit.

Në Qarkun e Elbasanit ushtrojnë aktivitet ekonomik rreth 7800 subjekte, shumica e të cilëve rreth 65% ndodhen në rrethin e Elbasanit. Rreth 80 % e tyre kanë të punësuar vetëm një punonjës. Shumica e sipërmarrjeve zhvillojnë aktivitet në fushën e tregtisë dhe vetëm një pakicë e tyre në industri.

Sektorët më të rëndësishëm janë: tregtia, hoteleria dhe restorantet, transporti dhe komunikimi të cilët përbëjnë rreth 27% të numrit total të subjekteve që ushtrojnë aktivitet ekonomik në rajon, bujqësia, gjuetia dhe pylltaria, peshkimi (24%) dhe industria (18%). Kjo strukturë ka ndryshuar: me rritjen më të lartë në industri (63%) dhe tek shërbime të tjera (55%), me një rënie në bujqësi, tregti, hoteleri, transport dhe komunikim (20%).

Eksportet përbëjnë një pjesë të rëndësishme të PBB (Prodhimi i Brendshëm Bruto) të rajonit (12%). Më shumë se gjysma e eksporteve (57%) janë minerale (kromi, hekuri), karburantet dhe energjia elektrike dhe 22% janë materiale ndërtimi (çimento) dhe metalet bazë (çeliku), të cilat prodhohen kryesisht nga kompani të huaja. Përfitimet e Qarkut te Elbasanit nga investimet e drejtpërdrejta të huaja në Shqipëri në përgjithësi jane rritur. Sektori i biznesit privat është forcuar.

Ndër produktet bujqësore më të rëndësishme për sa i përket vlerës janë soja (20% të të ardhurave totale), perimet (14%) dhe drithërat (9%), mishi (34%) dhe qumështi (10%). Elbasan është i pozicionuar mjaft mirë në drejtim të prodhimit të mishit dhe qumështit me një rritje pothuajse në të gjithë sektorët e bujqësisë. Rritje të mëdha ka në numrin e pemëve frutore dhe rrënjëve të ullirit (shteti ka ofruar subvencione për fermerët që mbjellin rrënjë ulliri), mishit (43%), qumështit (39%), sojës (37%) dhe drithërave (35.5%).

Të dhënat tregojnë se me ritme më të shpejta është zhvilluar tregtia, ku vërehet shumefishim i numrit të firmave të tregtisë me shumicë. Ndërkohë, numri i firmave në dy sektorët e tjerë, përkatësisht ndërtimi dhe prodhimi, është relativisht konstant.

Në Qarkun e Elbasanit jane bërë përpjekje për të hartuar programe dhe plane zhvillimi që favorizojnë rritjen me ritme të shpejta të sektorit privat dhe krijimin e klimës së përshtatshme për zhvillimin e biznesit. Këto përpjekje të të gjithë aktorëve të interesuar i adresohen në fund të fundit perspektivës së zhvillimit te qëndrueshëm ekonomik dhe social në Qarkun e Elbasanit, prioritete të cilat kanë të bëjnë me::

  • Zhvillimin e një mjedisi ekonomik konkurrues dhe sipërmarrës, veçanërisht në sektorë kryesore të tillë si industria, bujqësia dhe turizmi
  • Zhvillimi i Rajonit të Elbasanit si një destinacion tërheqës turistik dhe promovimi në një mënyrë te qëndrueshme i potencialeve e saj turistike.
  • Kujdesi për mjedisin natyror dhe ruajtjen e burimeve të tij natyrore, rritja e ndërgjegjësimit të individëve dhe bizneseve si dhe të nxitet një sjellje e përgjegjshme e tyre ndaj mjedisit.

Në realitet, sektori i biznesit të vogël, i cili përbën shumicën e ndërmarrjeve ekonomike, karakterizohet nga mikro-ndërmarrje të tipit individual ose familjar, me 1 njësi ushtrimi aktiviteti dhe mesatarisht 2 të punësuar. Biznesi i madh paraqitet relativisht i konsoliduar. Në këto programe parashikohen një sërë masash për përmirësimin e mjedisit të biznesit, përshtatjen e fuqisë punëtore me tregun e punës, nxjerrjen në pah dhe vënien në shërbim të investitorëve të mundësive që ofron rajoni për të zhvilluar biznes dhe investuar, si edhe për përmirësimin e infrastrukturës që ndihmon biznesin.

Zona industriale e qytetit të Elbasanit përbën një potencial të rëndësishëm zhvillimi, i cili deri tani është shfrytëzuar por që paraqet akoma edhe më shumë potenciale për shfrytëzim. Kthimi i pjesës së pashfrytëzuar të kombinatit metalurgjik në një park industrial përbën një objektiv prioritar për zhvillimin ekonomik të Qarkut Elbasan. Nëpërmjet këtij parku industrial krijohen kushte të favorshme për investitorët vendas dhe të huaj dhe mund të rritet ndjeshëm numri i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme duke rritur njëkohësisht mundësitë për punësim në rajon. Nxitja e investimeve vendase dhe të huaj për konsolidimin dhe zgjerimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme ekzistuese dhe për ngritjen e atyre të reja, përbën një objektiv kryesor për rritjen e potencialit ekonomik të rajonit.

Degët kryesore të zhvillimit të industrisë në Qarkun e Elbasanit janë industria e rëndë, përpunuese dhe ajo e lehtë dhe ushqimore, shpërndarë nëpër të gjithë rajonin. Në rrethin e Elbasanit, industria e rëndë është e përqëndruar kryesisht në qytetin e Elbasanit, në zonën industriale të Bradasheshit. Gjithashtu, ka një zhvillim të madh industria e materialeve të ndërtimit, ku krahas prodhimit të hekurit ekziston dhe fabrika e çimentos, fabrika tullave, gurit gëlqeror etj.

Në rrethin Librazhd një zhvillim të konsiderueshëm ka industria përpunuese e drurit. Egzistojnë firma të vogla për shfrytëzim dhe shitje trupash drusore si dhe ndërmarrje të industrisë ushqimore

Në strukturën e prodhimit industrial të rrethit Gramsh, industria ushqimore zë një peshë të rëndësishme. Fabrika e konservimit është përfaqësuesja kryesore e industrisë ushqimore dhe kjo është e privatizuar. Duke pasur parasysh faktin që rrethi Gramsh është rreth me blegtori të zhvilluar këtu funksionojnë punishte që merren me përpunimin e qumështit dhe produkteve të tij.

Nisur nga kjo analizë e potencialit ekonomik për zhvillim, janë identifikuar disa mënyra të mundshme për përmirësimin e situatës në lidhje me aktivitetin ekonomik në rajon:

  • Përmirësimi i infrastrukturës së biznesit, përfshirë rrjetin e mbështetjes së biznesit, me qëllim krijimin e kushteve më të mira për sipërmarrësit aktualë dhe të mundshëm dhe investitorët e huaj, si dhe të një plani strategjik.
  • Lobingu me aktorët dhe organet kombëtare përkatëse për të rigjallëruar zonën industriale të Bradasheshit dhe zonat më të vogla në Cërrik dhe Gramsh.
  • Inkurajimi i ndërmarrjeve të përbashkëta mes fermerëve për prodhimin bujqësor (magazinimin, marketingun, etj.).
  • Shqyrtimi i potencialit të turizmit dhe krijimi i një produkti rajonal duke evidentuar vendet turistike, promocionin, ngritjen e infrastrukturës dhe zhvillimin e kapaciteteve në këtë sektor

Zhvillimi i turizmit në Qarkun Elbasan është identifikuar si përparësi e veçantë dhe jo vetëm si një pjesë e përparësisë për zhvillimin e sektorit ekonomik. Masat e ndërmarra për zhvillimin e këtij prioriteti rajonal kanë filluar me:

  • Institucionalizimin e nismave bashkëpunuese midis aktorëve vendorë me anë të krijimit të strukturave dhe mjeteve te domosdoshme.
  • Promovimin e rajonit si një destinacion tërheqës, së pari për investitorët e mundshëm dhe pastaj për vizitorët, promovimin e produkteve rajonale turistike, ndërgjegjësimin e njerëzve për rëndësinë e turizmit dhe nxitjen e tyre për ruajtjen e mjedisit dhe të burimeve natyrore e kulturore të rajonit.
  • Krijimin e infrastrukturës së turizmit dhe infrastruktura të tjera shtesë për mbështetjen e turizmit.

Promovimi dhe zhvillimi i këtij sektori potencial do të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e të ardhurave në rajon, zbutjen e dukurisë së papunësisë dhe rrjedhimisht rritjen e mirëqënies së komunitetit.