Agroturizmi në Qarkun Elbasan
Turistët që vizitojnë Qarkun Elbasan, si një destinacion me përparësi për zhvillimin e turizmit janë të interesuar mbi:
- traditat lokale
- kuzhinën karakteristike
- kulturën lokale
- bujqësinë
Vizitorët që frekuentojnë zonat malore të Qarkut tonë kërkojnë të shijojnë vlerat autentike të një vendi dhe t’i largohen sadopak turizmit masiv. Fatmirësisht, kjo zonë ka një diversifikim të kulturave, traditave, burimeve natyrore në zonat rurale, gjë që i bën shumë atraktive këto destinacione për turistët.
Ndërsa bujqësia dhe turizmi në Qarkun Elbasan janë ndër sektorët më të rëndësishëm ekonomikë, sa i përket gjenerimit të të ardhurave dhe punësimit, nga ndërthurja e këtyre dy sektorëve ofrohet një mundësi e shkëlqyer për zhvillimin e agroturizmit në këtë zonë. Pra, zhvillimin e të gjithë atyre aktiviteteve që lindin kur një udhëtim turistik ndërthuret me shërbime të caktuara bujqësore apo kur përfshin eksperiencën e fshatit.
Agroturizmi në Qarkun Elbasan është një sektor në zhvillim me potencial të madh. Vendndodhja gjeografike, peisazhet e jashtëzakonshme, tradita e lashtë e mikpritjes, kuzhina e pasur me shumë teknika tradicionale gatimi dhe produktet tradicionale e bëjnë këtë zonë vendin e përsosur për një përvojë agroturizmi.
Zhvillimi i agroturizmit në Qarkun Elbasan përfiton nga një sërë pikash të forta dhe pritet të pësojë rritje të shpejtë duke përfituar nga mundësitë e shumta dhe kjo fale faktit që jemi një vend bujqësor, i pasur me atraksione të shumta turistike.
Ndërkohë që agroturizmi është një rrugë e dobishme për të krijuar përfitime ekonomike për fermat, gjithashtu përdoret si një instrument i politikave për zhvillimin e ekonomive lokale si edhe për ruajtjen e komuniteteve rurale dhe promovimin e traditave të tyre. Si rezultat, agroturizmi është një rrugë shumë efektive për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm rural.