5 Qershor – “Dita e Shën Joan Vladimirit”
“Dita e Shën Joan Vladimirit” ose siç quhet nga banorët e zonës Festa e Shijonit. Kjo festë organizohet çdo datë 5 Qershor në fshatin Shijon të njësisë administrative Bradashesh, Bashkia Elbasan. Në javën e parë të qershorit kjo festë fetare tërheq një numër shumë të madh turistësh në këtë fshat të vogël. Me mijëra pelegrinë nga i gjithë vendi mbërrijnë në Elbasan për të kremtuar festën e Shën Joan Vladimirit, e cila festohet kryesisht nga besimtarët e krishterë.
Në datën 4 Qershor në Manastirin e Shijonit, i cili ndodhet pikërisht në fshatin Shijon, 9 km larg qytetit të Elbasanit dhe që konsiderohet si një objekt kulti me vlera të veçanta spirituale, vijnë vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj, duke e konsideruar këtë ditë si ditë simboli paqeje dhe vëllazërimi.Prej kohësh, Manastiri i Shën Joan Vladimirit është kthyer një nga qendrat më të rëndësishme fetare në vend. Në këtë ditë, për nder të shumë të ftuarve, organizohet koncert festiv si dhe panaire, me pjesëmarrjen e pelegrinëve nga i gjithë rajoni.