13-14 Mars – Festa e Ditës së Verës
Dita e Verës njihet si festa e gjithë shqiptarëve, por Elbasani është zemra e saj dhe që simbolizon ringjalljen dhe ripërtëritjen e natyrës dhe njëkohësisht ardhjen e pranverës.Është një festë e kremtuar nga shqiptarët qysh në antikitet, pra para lindjes së krishtërimit. Nga pikëpamja gjeografike, ajo festohej nga mbarë shqiptarët, në qytet e në fshat, në fushë e në malësi, në atdhe apo edhe në mërgim. Fakti që kremtimi i Ditës së Verës është bërë edhe nga arbëreshët është dëshmi e përhapjes së saj të hershme ndër shqiptarët. Sot në të gjitha vendet e botës, ku ka shumë emigrantë, të larguar nga Shqipëria, kjo ditë e bekuar festohet dhe shijohet bashkë me ballakumet dhe revaninë tradicionale të kësaj feste.
Vitet e fundit “Dita e Verës” është bërë me të vërtetë një festë mbarëkombëtare. Pothuajse në çdo qytet bëhen manifestime të përgatitura nga shkollat dhe bashkitë. Njerëzit organizohen në grupe dhe festojnë në qendrat e qyteteve, mblidhen në lokale dhe vende piktoreske jashtë qyteteve dhe festojnë së bashku. Parakalojnë nxënësit e shkollave në formë karnavalesh, grupe valltarësh që kërcejnë e këndojnë. Por ndryshe është të festosh e ndryshe të ndjesh një festë. Elbasani, pra ndryshe nga pjesa tjetër e Shqipërisë, është vendi ku Dita e Verës ndjehet dhe përjetohet në kuptimin më të plotë të fjalës.
Festimet nisin me organizimin e Panairit të Ditës së Verës, ku në këtë panair ekspozohen produkte të biznesit elbasanas dhe nga zona të tjera të Shqipërisë si dhe shërbime të ndryshme që ofrojnë subjekte dhe institucione dhe ku krijohen marrëveshje tregtare dhe bashkëpunimi. Më pas banorët elbasanas festojnë duke shkuar në pikat turistike të zonës së Elbasanit. Karakteristikë e kësaj feste janë edhe gatimet e saj tradicionale siç janë ballakumet, revania, gjeli i detit. Në këtë festë Elbasanin e vizitojnë mbi gjysmë milioni të ftuar dhe turistë duke e kthyer atë në kryeqytet të Ditës së Verës.